
Është nata e tetë që qytetarët po protestojnë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale i cili dënoi me 81 vjet burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tubimi ka nisur në orën 21:00 ashtu si netëve të tjera, ndërsa protestuesit me slogane për drejtësi e brohorima po vazhdojnë të shprehin qëndrimet e tyre në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Në fjalimin e tij sonte, një prej organizatorëve tëprotestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës të veprojnë sa më shpejt ndaj kërkesave të protestuesve. Ai kërkoi trajtimin dhe votimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe mbështetje me fonde për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Mosveprimi i institucioneve nuk mund të zgjasë pafund. Sepse ne nuk e durojmë padrejtësinë. Populli nuk e duron heshtjen. Pritjes sonë po i vjen fundi. Durimi ynë po përfundon. Nga ky shesh u themi institucioneve: Veproni sa më shpejt! Mos e ngatërroni qetësinë tonë të deritanishme me dobësi”, deklaroi Haziri.

Ai tha se protestuesit nuk do të heshtin përballë mosveprimit institucional dhe se do të vazhdojnë të mblidhen derisa kërkesat e tyre të marrin përgjigje.



