
Vajza e kushëririt të ish-ministrit padit axhallarët për hisen e trashëgimisë – pretendon dhunë, kërcënime dhe përdorim të paligjshëm të pronës familjare.
Një pronë e shtrenjtë në Pejë është bërë burim konflikti të ashpër brenda familjes Çeku, duke çuar në një proces gjyqësor që tashmë ka marrë përmasa publike.
Padinë e ka ngritur Doruntina Çeku, e cila akuzon tre axhallarët e saj – Ethem Çeku, profesor universitar dhe ish-ministër në Qeverinë e Kosovës, si dhe vëllezërit e tij Ali e Gani Çeku – se i kanë marrë në mënyrë të paligjshme hisen e trashëgimisë së babait të saj, duke e vënë në rrezik pronën familjare.
Sipas saj, prona është përdorur pa autorizim ligjor për të marrë kredi shumëvjeçare, duke u vendosur në hipotekë pa pëlqimin e familjes së saj.
Në një intervistë për Insajderin, Doruntina ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga xhaxhai, ndërsa familja e saj po përballet me presion psikologjik dhe frikësime.
“Jam sulmuar fizikisht, jemi kërcënuar dhe kam frikë se mund t’i ndodh diçka prindërve të mi,” ka thënë ajo për Insajderin, në intervistën e realizuar nga gazetarja Dijellza Preniqi.
Ajo thotë se pavarësisht frikës, do të vazhdojë betejën ligjore për të mbrojtur pronën dhe të drejtën e familjes së saj.



