Fatmir Limaj kritikon Kurtin: Deklarata për balotazhin është ndërhyrje e papranueshme në procesin zgjedhor

Kreu i Nismës Socialdemokrate i kërkon kryeministrit në detyrë të përmbahet nga deklarata që, sipas tij, nxit diskriminim mes komunave dhe cenon barazinë e votës.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se “qytetarët duhet të mendojnë mirë se kujt ia japin votën në balotazh, sepse nuk do të japim buxhet për ata që nuk dinë të punojnë.”

Limaj e ka cilësuar këtë deklaratë si një ndërhyrje të papranueshme në procesin zgjedhor, duke thënë se një qeveri nuk mund të kushtëzojë mbështetjen buxhetore me përkatësinë politike të komunave.

“Është e paqartë se si Kurti vlerëson se kush qeveris mirë dhe në çfarë baze mund të bëhen këto vlerësime. Kjo është një tentativë për të ndikuar në zgjedhje,” deklaroi Limaj në një intervistë për Klan Kosova.

Ai shtoi se sjellje të tilla i kujtojnë praktikat që dikur vetë Kurti i kishte kritikuar:

“Zoti Kurti, unë dhe të tjerët kemi qenë kritikë të qeverive të kaluara që kanë bojkotuar komunat që nuk i takonin partisë në pushtet. Katër vitet e fundit kjo është bërë normë e sjelljes. Në të gjitha komunat ku nuk ka qeverisur partia në pushtet, janë anashkaluar dhe janë bllokuar buxhetet. Kjo e sotmja është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor.”

Limaj theksoi se komunat janë pjesë e shtetit dhe nuk duhet të diskriminohen sipas përkatësisë politike, duke i ftuar qytetarët që të votojnë me bindje të lirë dhe pa presione të jashtme. Ai kërkoi që të gjitha komunat e Kosovës të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë, pavarësisht nga forcat politike që i udhëheqin.

Back to top button