
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar që Serbia t’i hapë arkivat dhe t’i dorëzojë të gjithë personat e zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se zbardhja e fatit të tyre mbetet obligim dhe përgjegjësi e Beogradit.
Deklaratat ajo i bëri gjatë një vizite në fshatin Kalludër e Vogël në Zubin-Potok, ku po zhvillohen gërmime pasi dyshohet se ka mbetje mortore që u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të zhdukur me forcë nga forcat serbe gjatë luftës.

Gërvalla ka thënë se ekipet profesionale janë duke kryer punën e tyre dhe se duhet pritur rezultatet zyrtare para se të nxirren përfundime.
“Këtu gjithçka është duke u bërë profesionalisht. Të gjitha njësitë e përfshira në punë janë duke bërë punën e tyre dhe shpresojmë që së shpejti të kemi rezultate sa më të sakta dhe konkrete, me qëllim që të paktën familjarët e atyre që gjenden këtu t’i informojmë dhe t’u mundësohet t’i varrosin më në fund. Nuk është koha për spekulime apo zhurmë të madhe. T’i lëmë profesionistët ta bëjnë punën e tyre”, ka thënë ajo.
“Është lajm i mirë që gërmimi ka sjellë rezultat dhe që institucionet janë të përkushtuara për gjetjen e varrezave masive, por edhe për rritjen e presionit ndaj Serbisë: së pari për t’i hapur arkivat dhe së dyti për t’i dorëzuar të gjithë të pagjeturit. Mbi të gjitha, duhet të sigurohemi që gjëra të tilla të mos ndodhin më asnjëherë në vendin tonë”, deklaroi ministrja në detyrë.
Sipas Gërvallës, fakti që gërmimet kanë dhënë rezultate është një zhvillim pozitiv, por theksoi se përpjekjet duhet të vazhdojnë deri në zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve.



