
Ardian Gjini, kryetar i Aleancës, ka thënë se nuk e sheh të nevojshëm takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të diskutuar për formimin e institucioneve, shkruan KOHA.
Në një letër publike, Gjini ka thënë Aleanca është e gatshme të ndihmojë në kuorum për zgjedhjen e presidentit po që se Kurti i pranon gjashtë pikat e ofertuara nga AAK-ja.

“Më datën 26 qershor 2026, kam prezantuar publikisht ofertën tonë për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja të Kosovës. Aleanca është e gatshme pa kushte ose kërkesa vetjake të ndihmojë në bërjen e kuorumit për zgjedhjen president-es, nëse mandatari për krijimin e Qeverisë i pranon gjashtë pikat e ofertës sonë. Kjo ofertë ka për qëllim që ta shtyjmë përpara zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe, njëkohësisht, të mos e dërgojë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Duke e pasur parasysh qëndrimin tonë të qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në letrën e Gjinit.



