
Me vendim 5 me 3, Gjykata Kushtetuese anulon shkarkimin e Veliajt dhe dekretin e Presidentit Begaj për zgjedhjet e reja në Tiranë.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka vendosur në favor të Erion Veliajt, duke i dhënë të drejtë që të vijojë mandatin si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Vendimi i trupës gjykuese është marrë me shumicë votash, 5 pro dhe 3 kundër, duke rrëzuar kështu vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij, i cili ishte propozuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Sipas raportimit të Top Channel, me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se procedura e ndjekur për shkarkimin e Veliajt ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin për vetëqeverisjen vendore.
Vendimi i Kushtetueses anulon gjithashtu edhe dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili kishte caktuar datën e zgjedhjeve të reja për Bashkinë e Tiranës, pas miratimit të propozimit nga Qeveria.
Kjo do të thotë se Erion Veliaj mbetet në detyrë si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa proceset për zgjedhje të reja anulohen zyrtarisht.
Vendimi pritet të shkaktojë reagime të forta në arenën politike, pasi rasti i shkarkimit të Veliajt ishte kthyer në një nga debatet më të nxehta mes mazhorancës dhe opozitës në javët e fundit.



