
Suprema konfirmon vendimin e PZAP-së, duke hedhur poshtë kërkesën për anulimin e votave të pranuara më 2 dhe 6 janar 2026.
Gjykata Supreme e Kosovës ka konsideruar si të pathemeltë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për refuzimin e kërkesës për anulimin e disa fletëvotimeve me postë.
PDK kishte kërkuar që të anulohen votat e fletëvotimeve të pranuara më 2 dhe 6 janar 2026, në lidhje me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025. Partia kishte kontestuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së dhe kishte propozuar që Gjykata Supreme të aprovojë ankesën, të anulojë vendimin ZP.Anr.69/2025 të datës 9 janar 2026 dhe të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të anulojë të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025, ora 16:00.
PZAP kishte kundërshtuar ankesën e PDK-së, duke kërkuar refuzimin e saj si të pabazuar. Me vendimin e Supremes, numërimi i fletëvotimeve me postë pranohet dhe rezultati zgjedhor mbetet i njëjtë, pa rishikim nga fletëvotimet e kontestuara.



