
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka thënë se partia e tij në negociata me Vetëvendosje nuk është e interesuar për pozita, por se ka qëllim që një parti e vetme të mos i ketë të gjitha.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Guri të premten ka thënë se LDK-ja “nuk e ka medoemos që të jetë pjesë e Qeverisë” me Vetëvendosjen.

“Interesi i LDK-së është krijimi i institucioneve. Nuk e ka LDK-ja medoemos krijimin ose hyrjen në Qeveri. LDK-ja e ka qëllim parësor, të votuar edhe në Kuvendin e partisë, që vendit nuk i duhen zgjedhje të reja. Dhe pikë e dytë, që duhet kontributi i LDK-së tek çështja e presidentit”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë dhënë sinjale të premten se do t’u rikthehen negociatave për mundësinë e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve. Negociatat rikthehen pas pezullimit deri në Kuvendin e LDK-së, që përfundoi me rikonfirmimin e Lumir Abdixhikut kryetar të partisë. KOHA pati raportuar se në takimin e parë Abdixhiku e kryetari i VV-së, Albin Kurti, ishin dakorduar në parim.
E sipas Gurit, qëllimi i LDK-së në këto negociata është vetëm për të shmangur një palë zgjedhje të reja.
“Marrëveshja me LVV-në nuk është marrëveshje për pozita. LDK-ja nëse do të ishte e interesuar për pozita, i ka pasur të ofruara edhe në shkurt e edhe dhjetor. Me thanë që nuk jemi të interesuar për pozita edhe me thanë që nuk duhet partia në pushtet t’i ketë krejt pozitat, nuk është kontradiktore. Përkundrazi është e shëndetshme. Po themi që LDK-ja s’ka interes për pozita. S’po shkojmë për të biseduar për 5-6 ministri. Nëse do të ishim të interesuar për poste ministrore do t’i merrnim edhe në shkurt e dhjetor. A kapja e institucioneve kryesore të shtetit është jodemokratike. LDK-ja kontribuon që të mos jetë në asnjë mënyrë pozitat kryesore të shtetit te një parti politike që është në pushtet. Veç për këtë arsye janë krijuar si pushtete të ndara që ta kontrollojnë njëra tjetrën. Balancë i pushtetit”, ka deklaruar ai.
Guri ka thënë se vazhdon të mbajë qëndrimin kritik ndaj Qeverisjes së Vetëvendosjes, pavarësisht afrimit të partive./KOHA



