
Publicisti Halil Matoshi ka reaguar pas qëndrimit të fundit të LDK-së për heqjen dorë nga kërkesat për poste institucionale, duke thënë se Albin Kurti tashmë është “seriozisht i sfiduar” dhe se përgjegjësia për hapat e ardhshëm bie mbi të.
“Albin Kurti âsht i sfiduem seriozisht nga LDK.

Ai nga sonte âsht përgjegës për çdo hap.
Tashma nuk ka alibi.
Ose nesër e thërret Seancën Konstituitive të Kuvendit dhe krijon Qeverinë ose le të dihet botnisht: Kurti me kast nuk po i jep institucione të qëndrueshme Kosovës!
Për qëllime konspiracioni”, ka shkruar Matoshi.
Sipas tij, nga zhvillimet e ardhshme do të bëhet e qartë se kush synon zgjedhje të reja.
“Nga nesër dihet kush po msynë zgjedhje të reja dhe datën 27 dhetor.
Kurti munet me u zânë në bllof.
Ndoshta vetflijimi i LDKsë munet me ngjallë nji xixë shprese për mbijetesë të shtetit.
Nesër kosovarët e shohin dhe ndiejn sinqeritetin e Kurtit”, ka shkruar ai.
Matoshi e ka përshkruar qëndrimin e LDK-së si një lloj “vetëflijimi” politik, duke e krahasuar atë me figurën mitologjike të Phoenix-it.
“Vetëflijimi dmth. me u bâ hi për nji kauzë të madhe me uzdajë e ngritjes nga hini si Phoenix-i.
Sipas mitologjisë, ky proces nuk ndodh aksidentalisht por si veprim i vetëdijshëm kur ai, zogu mitik Phoenix, ndjen se i ka ardhë fundi i jetës. Kur ndjen se po i mbaron energjia jetësore, ai përgaditet për me dekë.
Rrah flatrat dhe digjet, por në zjerm pastrohet dhe rilindet nga hini”, ka përfunduar Matoshi.



