
Mosprocedimi i ligjit për buxhetin e vitit 2026 lë në pasiguri afro 100 mijë punëtorë publikë, 210 mijë pensionistë, mijëra përfitues të skemave sociale e veteranë. SBASHK paralajmëron krizë nëse s’formohen shpejt institucionet.
Mosprocedimi i ligjit për buxhetin e vitit 2026 po shkakton shqetësim të madh në sektorin publik dhe në mesin e qytetarëve që varen nga pagesat buxhetore. Krahas afro 100 mijë të punësuarve në institucionet publike, pa të ardhura mund të mbeten 210 mijë pensionistë, mbi 16 mijë përfitues të skemave sociale, 21 mijë persona me aftësi të kufizuara, 37 mijë veteranë si dhe mbi 12 mijë familje të dëshmorëve dhe invalidëve të punës.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se situata ka shkaktuar stres të madh te mësimdhënësit dhe e cilësoi ironike deklaratën për pagën e 13-të, ndërkohë që, sipas tij, nuk u nda as shuma prej 100 eurosh për mësimdhënës.
“Askush nuk ka pritur që do të ndodhë një zvarritje kaq e gjatë për krijimin e institucioneve që dolën nga zgjedhjet e shkurtit. Kërkesat janë shtuar, por nuk kemi ku t’i adresojmë, pasi nuk kemi parlament, as qeveri, e më keq akoma, nuk ka kush ta votojë ligjin për pagat e vitit 2026,” deklaroi Jasharaj. Ai shtoi se kjo situatë po rrit frikën se punëtorët mund të mbeten pa paga, çka do të ishte “një goditje e rëndë për sektorin publik”, ku mbi 84 mijë persona, përfshirë 30 mijë nga arsimi, varen nga buxheti.
Jasharaj theksoi se shumë punëtorë kanë kredi bankare dhe çdo vonesë në paga do të sjellë pasoja shtesë financiare. Ai e quajti ironike premtimin për pagën e 13-të, duke kujtuar se edhe kërkesa për 100 euro shtesë ishte refuzuar.
“Kurtin e kam lutur si vëlla e si kryeministër për ato 100 euro, e nuk na jepte. Si mund të presim tani një pagë të 13-të, që është shumë më e madhe se ajo shumë? Të gjithë kemi mbetur me pikëpyetje. Uroj që të mos ndodhë që punëtorët të mbesin pa paga në vitin e ardhshëm,” shtoi ai.
Kryetari i SBASHK-ut bëri thirrje për formimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe miratimin urgjent të buxhetit, për të shmangur një krizë sociale që, sipas tij, do të godiste rëndë sektorin publik dhe familjet që varen nga pagat e shtetit.



