Jeta Statovci i përgjigjet Hykmete Bajramit: LDK e përjashtoi Vjosa Osmanin, prandaj ra në 12 për qind

Deputetja e LVV-së, Jeta Statovci, reagon ndaj deklaratës së Hykmete Bajramit, duke thënë se rënia elektorale e LDK-së në vitin 2021 ishte pasojë e përjashtimit të Vjosa Osmanit dhe shkeljes së demokracisë së brendshme në parti.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Jeta Statovci, i është përgjigjur deklaratës së deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e cila kishte fajësuar presidenten Vjosa Osmani për rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku partia kishte rënë në 12 për qind.

Në një reagim publik, Statovci ka theksuar se fajtorja nuk ishte Osmani, por vetë LDK-ja që e kishte përjashtuar atë nga radhët e saj.

“Zonja Hykmete Bajrami paska deklaruar se Presidentja Vjosa Osmani paska qenë fajtore përse në zgjedhjet e vitit 2021, LDK ka dalë 12%. Por Zonja Bajrami paska harruar se Presidenten Osmani, partia e saj e ka përjashtuar nga LDK. Kostoja elektorale e 12% ka qenë pasojë e shkeljes së demokracisë së brendshme në LDK, por edhe jashtë saj. Përjashtuan personin me besimin më të lartë elektoral që nga Presidenti Rugova,” ka shkruar Statovci.

Ajo shtoi se rënia e LDK-së ishte rezultat i “arrogancës politike dhe gatishmërisë për të bashkëpunuar me një PDK të pareformuar”, si dhe për shkak të “marrëveshjeve të dëmshme për vendin” dhe “prishjes së besimit me qytetarët”.

Në fund, Statovci i dërgoi një paralajmërim ironik deputetes Bajrami, duke përmendur se mandati i presidentes Osmani po i afrohet fundit:

“E presidentes Osmani i kalon mandati edhe pak muaj, andaj bëni kujdes, se mund fare lehtë t’ju kthej sërish në 12%, me argumentet e saj politike dhe konsistencën ideologjike që ka me bazë trashëgiminë e Presidentit Rugova, jo të këtij diskursi destruktiv të LDK-së që amniston Listën Serbe e fajëson të tjerët për rezultatet e veta.”

Back to top button