Kelmendi: Nëse vjedhja nuk ka qenë e izoluar, zgjedhjet duhet të përsëriten

Moderatori i “Rubikonit” ngre dyshime serioze mbi besueshmërinë e procesit zgjedhor pas vendimit për rinumërim të votave.

Moderatori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, ka reaguar lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e të gjitha votave, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin e procesit zgjedhor të 28 dhjetorit.

banner

Kelmendi shtron dilemën nëse problemi kufizohet vetëm në numërimin e votave apo nëse manipulimet kanë ndodhur edhe gjatë vetë procesit të votimit. “Nëse tendenca ka qenë të vjedhet dhe të mashtrohet, si mund të besohet se kjo ka ndalur vetëm te numërimi i votave?”, shkruan ai.

Sipas tij, ndonëse vendimi i KQZ-së për rinumërim është i drejtë, dyshimet mbeten të forta se devijime të ngjashme me ato të evidentuara në disa vendvotime mund të kenë ndodhur edhe në pjesë të tjera të Kosovës. Kelmendi thekson se rinumërimi mund të mos jetë i mjaftueshëm për të rikthyer besueshmërinë e procesit zgjedhor.

“Logjikisht, nëse disa kandidatë kanë vjedhur vota gjatë numërimit, çka i ka ndalur ata që të manipulojnë edhe para numërimit?”, pyet ai, duke nënvizuar se nëse pas rinumërimit konstatohet se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara, por për një fenomen më të përhapur, atëherë i gjithë procesi zgjedhor dëmtohet rëndë.

Kelmendi vë në pikëpyetje legjitimitetin e deputetëve që do të dalin nga ky proces, duke pyetur nëse e meritojnë vërtet të ulen në Kuvend dhe çfarë ndodh nëse dikujt i janë vjedhur votat dhe ka mbetur jashtë përfaqësimit parlamentar.

“Ku është besueshmëria e një Kuvendi të tillë?”, shtron ai, duke shtuar se nëse fenomeni i vjedhjes rezulton i përhapur, atëherë rinumërimi nuk sjell drejtësi dhe nuk garanton rezultate të besueshme.

Në këtë rast, sipas Kelmendit, zgjidhja e vetme do të ishte përsëritja e zgjedhjeve. “Duhet përsëritur zgjedhjet! Uroj të mos kemi nevojë,” përfundon ai, duke shprehur shpresën që parregullsitë të mos jenë të përhapura në gjithë vendin.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.