
Shkruan: Kimete Berisha
Varfanjaku i dyshimtë
(Kryeministri me popullin – qeveria me Pazarin)
…
1. Varfëria si alibi
A është më keq të jesh kryeministër i pasur i ministrave të varfër,
apo kryeministër i varfër i ministrave të pasur?
Padyshim:
shumë më keq është të jesh kryeministër i varfër i ministrave të pasur.
Sepse edhe ministrat e tij kanë qenë të varfër,
para se të bëheshin të pasur.
Në vendet e varfra është turp të jesh i pasur,
nëse nuk merresh me tregti.
Sa më shumë që ke,
aq më i pamoralshëm dukesh.
Njeriu i urtë, i mirë, i ndershëm,
është ai që s’ka.
Ai që ka,
është gjithmonë i dyshimtë.
Dhe, në shumicën e rasteve,
me të drejtë.
Sepse është jonormale të bëhesh i pasur duke “shërbyer” në institucionet e shtetit të varfër.
Institucione quhen,
por prej sa mbaj mend,
kanë qenë ndërmarrje tregtare të kapura nga një grusht njerëzish… të pasur.
Kryeministri ndoshta mendon se mjafton që ai vetë nuk është pasuruar.
Dhe se me varfërinë e tij
e mbulon pasurinë e ministrave të tij.
Ndoshta mjafton…
Por, sipas meje, problemi i tij kryesor është tjetërkund:
ministrat e tij, nga zhelanë, janë bërë bosa.
Ky është thelbi.
Jo 16 eurot e tij.
Po milionat e heshtur të oborrit të tij.
Sepse njeriu vlerësohet më shumë nga ata me të cilët rrethohet.
Me kë shoqërohesh?
Kë mbron?
Kë duron?
Kë e bën ministër?
Dhe pse nuk të pengon
që ministri yt, dje i varfër,
sot është bërë papritur i pasur?
Kjo është lavatriçe morale.
Në shtatë ujëra.
Sepse:
Më keq është të pastrosh moralisht paratë e të tjerëve,
se sa të vjedhësh për shpirtin tënd.
Kryeministri del para popullit me 16 euro në xhep,
ndërsa rreth tij sillen njerëz
që e vjedhin familjarisht buxhetin e shtetit.
…
2. Kusuri i moralit – 16 euro moral
Kur pushteti, njësoj si populli, jeton nga kusuri
dhe del aq i varfër në letër,
nuk të zgjon mëshirë.
Të zgjon dyshim.
Dhe shumë humor.
Për popullin më të varfër në Evropë,
varfëria nuk është lajm.
Lajm është që një kryeministër
e ka ngritur këtë shifër
në nivelin e një biografie morale.
Sepse kursimet nuk deklarohen vetëm si para.
Deklarohen si karakter.
Dhe si skenografi e ndershmërisë.
Prandaj:
Shqiptari sot nuk pyet:
sa i ndershëm është ky njeri?
Pyet:
sa i besueshëm është ky varfanjak?
Sepse varfanjaku i zakonshëm
nuk ka pushtet.
…
3. Të pasur pa shpirt
Dhe këtu nuk shoh vetëm pasurim të shpejtë.
Shoh edhe varfërim të frikshëm shpirtëror.
Gati-gati pashpirtësi.
Njërës,
para disa vitesh, i vdiq një familjar i ngushtë,
dhe ende pa e varrosur,
si e trentë,
shkoi vrap në konferenca të kota të qeverisë.
Tjetra,
së fundi, të nesërmen,
pa e qarë familjarin e ngushtë,
doli me taka hardcore
dhe i “qante” vdekjet e lashta të të tjerëve.
Pra, duhet të jesh e çuditshme.
Madje e frikshme.
Që të kalosh kaq shpejt
nga një ekstrem emocional në tjetrin.
Çfarë shkolle është kjo?
Pse ky burg emocional?
Pse s’ka kohë për mallëngjim?
Si arrihet pushteti mbi pikëllimin,
ndryshe, përveç duke mos pasur ndjenja?
Si quhet ai që s’ka ndjenja,
s’ka frikë
e as mëshirë…
S’dua ta përmend.
…
4. Komandantet e zisë
Unë ndoshta gaboj që nisem nga vetja.
Një herë, kur më ka vdekur një shok,
kam mbetur dy muaj e mpirë.
I pata lodhur disa miq priftërinj e hoxhallarë
me pyetje metafizike
që s’i mbyllte asnjëri prej tyre:
Pse pa lamtumirë?
Sikur e vodhi dikush.
Ku shkojnë shpirtrat?
A e tejkalon vdekja frikën,
apo frika vdekjen?
Dhe pse është një terr
që s’e përbiron drita?
(Dhe u qetësova tek pastaj…
pasi erdha te ideja
se vdekja është nevojë.)
Prandaj, për mua,
kjo lloj ftohtësie e tyre
nuk është forcë.
Është stërvitje.
Dhe njeriu që stërvitet të mos ndiejë,
bëhet shumë i rrezikshëm.
…
5. Viktimë e qeverisjes së vet
Ministrat e Albin Kurtit janë bërë më të pasur se kryeministri i tyre,
anipse kur e kanë marrë pushtetin,
kanë qenë të gjithë të varfër në mënyrë pothuajse të barabartë.
Atëherë:
kush është më i mençur?
Ai që bëhet i pasur në emrin tënd?
Apo ti,
që bëhesh vula morale
e pasurimit të tyre të palogjikshëm?
Kryeministri është, në një farë mënyre,
fakti më i gjallë
se neve na shkon krejt rroga në rrymë, ujë, mbeturina dhe ushqim.
Na mbeten 16 euro e 41 centë.
Bashkë me bindjen
se nuk ka të ardhme për ne.
Pra, përgjigjja se si mbijeton dikush që nuk vjedh,
është kjo:
Shteti ta jep rrogën,
dhe ta merr prapë
pa kaluar dhjetë ditë.
Edhe kryeministrit.
Pra, kryeministri s’mund ta mbrojë
as veten
nga qeverisja e tij.
Sipas kësaj logjike,
e udhëheq gabimisht
edhe veten e tij.
Prandaj,
konstatoj se:
Ky sistem është i tmerrshëm.
Si një komunë e braktisur
në një provincë të humbur…
diku në…
theqafje.
Dhe:
ndjesë për shqetësimin, por
parashikoj se vështirë
se do të mbijetojë… kjo Kosovë.
…
P.S.
Kur e kam lexuar se si universi zgjerohet me 72 kilometra në sekondë,
aty e kam ndjerë
si është zgjeruar mendja ime.
Pra,
sapo mendon
se e ke kapur një qoshe të mendjes sime,
ajo zgjerohet
dhe bëhet e pakapshme
edhe për mua.
Quhet…
s’di.
…
AUTOKRITIKË
Unë me bukë.
Ti me gurë.
Jo, prej sotit –
ta shohim kush është më… P.S…
Ta shohim kush…
shkruan më bukur.



