“Komandanti i humbësve”: A i erdhi fundi politik Ali Ahmetit, pas humbjës nga VLEN-i?

VLEN-i ka korrur një sukses të madh në zgjedhjet lokale, duke fituar shumicën e komunave me shumicë shqiptare në Maqedoni të Veriut. Në bazë të komunave që do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme – gjithsejt dhjetë –, VLEN-i radhitet si fuqia e dytë politike në vendin fqinj, pas VMRO-së, që drejtohet nga Hristijan Mickoski. Një ditë pas zgjedhjeve, pyetja më themelore që duhet shtruar është e thjeshtë: pas humbjes së pësuar nga VLEN-i, a është ky fundi politik i Ali Ahmetit?

Pas Çairit, mbrëmë VLEN-i fitoi edhe në Tetovë, kryeqendrën tjetër të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Të dielën e dy nëntorit, fitoret e VLEN-it u konfirmuan edhe në pesë komuna të tjera.

Autor: Mirlind Behluli

Tash VLEN-i do të udhëheq me Çairin, Tetovën, Sarajin, Haraçinën, Tearcëen, Dibrën, Zhelinën, Bogovinën e Dollenin, transmeton Gazeta Politika. Po ashtu, në Strugë fitoi Mendi Qyra, kandidat i pavarur, por i përkrahur nga VLEN-i.

Ahmeti, “komandanti i humbësve

Përveç fitoreve të VLEN-it, është e udhës të analizohen edhe humbjet e Aleancës Kombëtare për Integrim, që përbëhej nga BDI-ja e Ali Ahmetit, Aleanca e Zijadin Selës e Aleanca e Arben Taravarit. Në fakt, humbjet e BDI-së janë të mëdha.

Për herë të parë pas dy dekadave, BDI-ja nuk udhëheq me asnjë komunë të madhe urbane. Ahmeti e BDI-ja pësuan katër humbje të mëdha. Në Çair, Bujar Osmani, ish-zëvendëskryeministër e ministër i Punëve të Jashtme nga BDI-ja, u deklasua nga Izet Mexhiti i VLEN-it, duke u mposhtur thellë në raundin e parë.

Në raundin e parë, BDI-ja pësoi humbje edhe në Saraj, një tjetër komunë që udhëhiqej gjatë nga Blerim Bexheti, një figurë e rëndësishme e partisë së Ahmetit. Kandidati i VLEN-it, Muhamed Elmazi, triumfoi në garë kundër kandidatit të AKI-së, Blerant Rexhepi.

Ahmeti e Musa Xheferi, një tjetër emër që dikur peshonte rëndë në BDI, pësuan humbje edhe në vendlindjen e tyre. Në Kërçovë triumfoi kandidati i VMRO-së, Aleksander Jovanovski, i cili e mposhti Fatmir Deharin e AKI-së.

BDI-ja u mposht edhe në Tetovë, ku Bilall Kasami doli fitues në raundin e dytë me mbi pesë mijë vota dallim. Disa orë pas mbylljes së kutive, Ahmeti doli në konferencë për media, ku e pranoi humbjen me gjysmë zemër. Duke tentuar të mjegullonte humbjen, Ahmeti deklaroi se AKI-ja ka fituar “shumicën e votës popullore”.

“..por nuk kemi arritur të fitojmë garën për kryetar të komunave. Është mesazh kompleks, që ne e pranojmë me përgjegjësi. Qytetarët kanë treguar se besojnë vlerat tona, në vizionin tonë, por njëkohësisht kërkojnë që të rinovojmë mënyrën tonë të përcjelljes së tyre në terren” – tha Ahmeti, ndër të tjera.

Përndryshe, Sela nuk arriti të fitontë në Strugë, ndërsa Taravari mbetet në garë në Gostivar e Vrapçishtë, që do të shkojnë në rivotim për shkak të mosarritjes së censusit të votuesve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button