
Kongresisti amerikan nga radhët e republikanëve, Keith Self, ka deklaruar se gjatë vizitës në Serbi kanë parë nga afër probleme reale mes shqiptarëve dhe shtetit serb.
Pas takimit me përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, Self tha se delegacioni amerikan po viziton të dyja palët për të kuptuar trajtimin e pakicave.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur”, deklaroi Self.
Ai bëri të ditur se delegacioni do të vizitojë edhe Kosovën për të parë gjendjen e pakicës serbe.
“Do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje”, u shpreh ai.
Ndërkaq, kongresisti demokrat Suhas Subramanyam përmendi arsimin dhe zhvillimin e pabarabartë si disa nga problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët në Serbi.
Sipas tij, në takime është diskutuar edhe çështja e pasivizimit të adresave.
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se takimi me kongresistët amerikanë ka rëndësi të veçantë dhe kërkoi fundin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Serbi.



