
Alban Krasniqi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është “komplet i depolitizuar” derisa ka mbrojtur vendimin e anëtarëve që kundërshtuan të shtunën shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Listën Serbe.
Siç ka theksuar ai, problemi i Listës Serbe nuk ka pasur trajtim meritor nga organet e drejtësisë marrë parasysh se që nga momenti i certifikimit si subjekt politik e deri te procesi zgjedhor, sipas tij, vepron tërësisht në mënyrë të kundërt me atë që bëjnë subjektet e tjera politike në Kosovë.
“I mirëkuptoj shqetësimet të ndërkombëtarëve në Kosovë, siç i mirëkuptoj kërkesat edhe të komunitetit serb lidhur me presionin që Lista Serbe e bën ndaj këtyre qytetarëve… Nëse ka institucion që është duke e mbrojtur Republikën e Kosovës edhe në raport me Listën Serbe është KQZ. Është komplet i depolitizuar sa i përket kësaj çështje”, ka thënë ai në “60 Minuta”.
Krasniqi ka shtuar se që në gjenezë të themelimit Lista Serbe ka filluar me shkelje dhe vazhdon me shkelje, teksa ka theksuar se organet e drejtësisë kanë dështuar që me argumente të mjaftueshme për shkeljet e LS-së, nuk kanë vepruar.



