Krerët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja Osmani

Takimi do të mbahet nesër në orën 12:00 në Presidencë, pas dështimit të formimit të qeverisë nga i mandatuari Albin Kurti.

Krerët e partive opozitare, PDK, LDK, AAK dhe Nisma, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që do të mbahet nesër në orën 12:00.

Presidentja Osmani ka ftuar liderët politikë për konsultime pas dështimit të formimit të qeverisë më 26 tetor nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, pjesëmarrjen e kryetarit Memli Krasniqi e ka konfirmuar për Gazeta Blic sekretarja e përgjithshme e partisë, Vlora Çitaku. “Po, e kemi marrë ftesën dhe kryetari merr pjesë,” tha Çitaku.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës është konfirmuar pjesëmarrja e Lumir Abdixhikut. “Po, do të marrë pjesë,” tha zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Në takim do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, konfirmoi zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemaili. “Po, do të marrë pjesë në takim,” u shpreh ai.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, gjithashtu ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij. “Po, do të marrim pjesë,” deklaroi Limaj për Gazeta Blic. Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka pasur përgjigje nëse kryetari i saj, Albin Kurti, do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Osmani.

Back to top button