
Ministri i Jashtëm sirian, Asaad Hassan Al-Shaibani, njoftoi në “X” për njohjen zyrtare të Kosovës, ndërsa lajmi u konfirmua nga presidentja Vjosa Osmani nga Riadi.
Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani, përmes një postimi në platformën “X”.
Nga Riadi i Arabisë Saudite, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konfirmoi njohjen, duke e cilësuar atë si një hap historik në forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.
Kryediplomati sirian tha se vendimi është marrë “nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë”.
“Nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, Republika Arabe Siriane njoftoi njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, duke riafirmuar respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”, shkroi Al-Shaibani.



