
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se dyshimi i parë i institucioneve është se mbetjet mortore të gjetura në fshatin Kalludër të Zubin Potokut mund t’u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur me dhunë në prill të vitit 1999.
Kurti theksoi se identiteti i viktimave ende nuk është konfirmuar dhe se duhet pritur rezultatet e institucioneve përgjegjëse.

“Ne nuk mund ta konfirmojmë që bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm”, tha ai.
Sipas Kurtit, në vendin ku janë gjetur mbetjet mortore po punojnë Policia e Kosovës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe EULEX-i.
Ai akuzoi Serbinë se vazhdon të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke mos hapur arkivat ushtarake.
Sipas tij, refuzimi për zbatimin e Deklaratës së Brukselit për personat e zhdukur dhe mospublikimi i dokumenteve ushtarake dëshmojnë mungesën e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e luftës.
Kurti u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë të rrisin presionin ndaj Beogradit për hapjen e arkivave ushtarake dhe ndihmën në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.



