
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj vendimit të presidentes Justina Shiroka-Pula për largimin nga vendet e nderit në Presidencë të fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë.
Sipas LDK-së, fotografia e Rugovës ishte vendosur nga ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa Deklarata e Pavarësisë nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu.
Partia e ka cilësuar vendimin të papranueshëm, duke argumentuar se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit dhe dokumentet themelore të tij.
“Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm”, thuhet në reagim.
LDK-ja ka vlerësuar se Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjeve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, ndërsa Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e qytetarëve për një shtet të pavarur dhe sovran.
Sipas kësaj partie, largimi i këtyre dy simboleve cenon respektin institucional ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës.
“Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij. Kjo përgjegjësi tejkalon mandatin e secilit president”, ka deklaruar LDK-ja.
Në fund, LDK-ja i ka kërkuar presidentes Shiroka-Pula ta rishikojë vendimin dhe ta rikthejë fotografinë e Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendet e tyre të nderit.
“Një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës që përfaqëson”, përfundon reagimi.



