LDK: Qeveria Kurti po keqpërdor buxhetin për blerje votash para zgjedhjeve

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur miratimin e buxhetit për vitin 2026 nga Qeveria Kurti “akt të paprecedent politik dhe institucional”, duke e akuzuar ekzekutivin për keqpërdorim të buxhetit publik në prag të zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të Qeverisë Kurti për rritjen e pensioneve, shtesave për fëmijë dhe përfshirjen e pagës së 13-të në buxhetin për vitin 2026, duke e quajtur këtë veprim një “akt të paprecedent politik dhe institucional”.

Në komunikatën e lëshuar, LDK vlerëson se miratimi i buxhetit nga një qeveri pa mandat dhe pa legjitimitet përbën “një përpjekje të dëshpëruar për blerje votash dhe manipulim të procesit zgjedhor”, vetëm pak ditë para balotazhit komunal dhe zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Ky është një akt i një qeverie pa mandat dhe pa legjitimitet, një përpjekje e dëshpëruar për blerje votash dhe manipulim të procesit zgjedhor vetëm një javë para balotazhit dhe pak javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare,” thuhet në reagimin e LDK-së.

Partia ka akuzuar ekzekutivin për “uzurpim të kompetencave shtetërore dhe keqpërdorim flagrant të buxhetit publik për interesa të ngushta partiake”, duke theksuar se “në objektin e Qeverisë, një grup deputetësh që sillen si ekzekutiv kanë miratuar një dokument pa vlerë juridike”, në kundërshtim me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Supreme.

Sipas LDK-së, buxheti i ri është dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit dhe duhet të hartohet nga një qeveri e re, legjitime dhe e dalë nga vullneti i qytetarëve, jo nga një qeveri në largim që “ka humbur mbështetjen popullore dhe autoritetin institucional”.

“Asnjë euro e buxhetit nuk mund të shndërrohet në mjet për blerje votash, asnjë plan financiar nuk mund të shërbejë si mburojë për dështimet qeveritare,” thuhet më tej në reagim, ku LDK e cilëson veprimin e Qeverisë si “abuzim me pushtetin dhe instrumentalizim të institucioneve të shtetit për qëllime elektorale.”

Back to top button