
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmbylli fushatën zgjedhore me një tubim madhështor në Viti, duke shprehur besimin në fitoren e kandidatit Sokol Haliti dhe duke kritikuar populizmin e kundërshtarëve politikë.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përmbyllur fushatën zgjedhore me një tubim të madh në komunën e Vitisë, ku mori pjesë edhe kandidati për kryetar, Sokol Haliti.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku e cilësoi takimin në Viti si “një tubim të jashtëzakonshëm, me njerëz të përkushtuar, të ndershëm dhe plot besim në rrugën tonë të përbashkët”. Ai tha se Vitia i dha fushatës energjinë e fitores, duke theksuar se ajo ishte ndërtuar mbi punë, rezultate dhe dinjitet politik.
“Sokol Haliti është garanci e qeverisjes së mirë, stabilitetit dhe zhvillimit. Dhe nesër, Vitia e konfirmon këtë rrugë, me LDK-në dhe me Sokolin në katër vitet e ardhshme,” deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së kritikoi qeverinë për veprime që i quajti populiste në prag të zgjedhjeve. “T’u japim një përgjigje popullistëve të pushtetit që nga paniku hapin autostrada një ditë para zgjedhjeve. I kanë punët keq, s’lënë mjet pa përdorur padinjitetshëm,” u shpreh ai.
Ai gjithashtu reagoi ndaj përfshirjes së përfaqësuesve të VLEN në fushatën zgjedhore, duke thënë se “indoktrinimi i përçarjes ndërshqiptare është vlera më e padinjitetshme që mund të përvetësohet”.
Në fund, Abdixhiku theksoi se qytetarët e Vitisë e dinë mirë “çka vlen e çka s’vlen” dhe bëri thirrje për mbështetje të LDK-së në ditën e zgjedhjeve.
“Le të fitojmë nesër dhe në Viti,” përfundoi ai.



