Lumir Abdixhiku: S’ka shumicë parlamentare, presim të caktohet data e zgjedhjeve

Kryetari i LDK-së thekson se diskutimet për qeveri tranzitore janë të pamundura, ndërsa afatet kushtetuese e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u deklarua pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, duke theksuar se në Kosovë aktualisht nuk ekziston shumicë parlamentare. Sipas Abdixhikut, kjo situatë e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Ne kishim një pikë të paraparë sipas Kushtetutës për të diskutuar caktimin e mandatit tjetër për qeverinë e Kosovës. Në këtë takim u dëshmua ajo që LDK ka thënë gjithmonë: sipas rezultateve të 9 shkurtit, nuk ka shumicë parlamentare. Kësisoj, afatet kushtetuese na çojnë drejt zgjedhjeve të reja”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se përpjekjet për qeveri unioni ose tranzitore janë të pamundura: “Ironikisht u përmend qeveria e unitetit dhe ajo e tranzicionit për të kaluar disa çështje urgjente, por është e pamundur tani. Sa më parë të shpallim zgjedhjet, aq më mirë për vendin”.

Back to top button