Mes dhimbjes për humbjen e babait, Mimoza Kusari falënderon qytetarët për besimin

Deputetja e zgjedhur thotë se mbështetja e qytetarëve gjatë një periudhe të dhimbshme personale është përgjegjësi dhe nder për të vazhduar angazhimin publik.

Deputetja Mimoza Kusari ka falënderuar publikisht qytetarët për mbështetjen e dhënë në zgjedhjet e fundit, duke ndarë njëkohësisht një mesazh emocional për humbjen e babait të saj, i cili u nda nga jeta pak ditë para procesit zgjedhor.

banner

Në një shkrim prekës, Kusari kujtoi figurën e babait si shtyllë të familjes, njeri modest, i dashur dhe i përkushtuar ndaj profesionit të tij si mjek pulmolog në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë. Ajo theksoi se ai e shihte profesionin jo si privilegj, por si detyrë ndaj pacientëve, duke mos pranuar asnjëherë pagesa shtesë për shërbimet e tij.

“Babi ishte miku ynë, jo autoritar, por ndërtues i besimit dhe barazisë. Na kërkonte të ishim vajza të pavarura dhe të arsimuara, sepse për të kjo ishte thelbësore,” shkruan Kusari.

Ajo përshkroi babanë si njeri me humor, mendje të kthjellët dhe kujtesë të jashtëzakonshme, i përkushtuar edhe ndaj zhvillimeve politike e shoqërore. Dashuria e tij për nipat dhe familjen, sipas saj, ishte e pakufishme.

Kusari bëri të ditur se babai u nda nga jeta në spitalin ku kishte punuar për dekada, i rrethuar me përkujdesje nga kolegët dhe infermierët, për të cilët ajo shprehu mirënjohje të veçantë.

Ajo tregoi se gjatë fushatës zgjedhore nuk ishte aktive për shkak të gjendjes shëndetësore të babait, por pavarësisht kësaj, mbështetja për të dhe për listën e koalicionit u rrit.

“Ky besim është përgjegjësi, obligim dhe nder për të vazhduar me punë dhe përkushtim për të sotmen dhe të ardhmen,” theksoi ajo.

Në fund, Kusari falënderoi të gjithë ata që e mbështetën dhe e mirëkuptuan gjatë kësaj periudhe të vështirë personale, duke shprehur mirënjohje të thellë për solidaritetin e treguar.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.