Mujka mohon përfshirjen e “dorës së njeriut” në përmbytjen e urës së re mbi Ibërin

Kryeshefi i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, thotë se përmbytja ndodhi për shkak të reshjeve dhe rrëshqitjes së kanalit në Zubin Potok, duke theksuar se “dora e njeriut” ka ndihmuar në minimizimin e dëmit.

Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, ka mohuar se përmbytja e punishtes së urës së re mbi lumin Ibër në Mitrovicë është shkaktuar nga “dora e njeriut”, siç pretendoi më herët pronari i kompanisë ndërtuese.

Në një reagim në Facebook, Mujka tha se ngritja e papritur e nivelit të ujit ka ardhur si pasojë e reshjeve të shumta ditëve të fundit në rrjedhën e epërme të lumit, si dhe rrëshqitjes së kanalit në Zubin Potok, që ka detyruar bartjen emergjente të ujërave të tepërta në lumë.

“Me rëndësi është se konstruksioni i urës nuk është rrezikuar asnjëherë. Duhet të sqarohet se nuk është dorë njeriu që ka krijuar dëmin, por dora e njeriut e ka minimalizuar dëmin e mundshëm shumë më të madh e afatgjatë,” shkroi Mujka.

Ai shtoi se përmbytja ka ndodhur për shkak të një “fyti të ngushtë” të krijuar në punishte, që nuk ka mundur ta përballojë sasinë e ujit, por se niveli është stabilizuar brenda një ore, dhe po punohet për sanimin në kanalin kryesor për të mbajtur nën kontroll rrjedhën e ujit.

Mujka theksoi se rasti nuk duhet të përdoret për “qëllime politike apo elektorale”, duke e cilësuar atë si çështje operacionale. Ai gjithashtu nënvizoi se edhe operatori ekonomik “ka pjesën e vet të përgjegjësisë për mënyrën e organizimit të punishtes”.

“Sikur çdo herë, mirëmbajtja e nivelit të ujit në Ibër ndryshon gjatë verës dhe vjeshtës, dhe fatkeqësisht, situata të tilla mund të ndodhin. Shpresojmë që të mos përsëritet më,” përfundoi ai.

Back to top button