
Arben Mustafa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka folur për ekspozenë e kryeministrit Albin Kurti dhe buxhetin e përgatitur nga qeveria.
Sipas tij, Kurti nuk ka paraqitur fare buxhet.
Tutje, Mustafa ka përmendur autostradën e Gjilanit, duke vlerësuar se është “inekzistente”.
“Nëse e shohim ekspozenë e kryeministrit në ditën kur u votua qeveria dhe nëse e shohim buxhetin për 2026 po flasim për dy gjëra pothuajse të ndryshme. Ajo që ka prezantuar ai në ekspoze ishte më shumë listë dëshirash, por të cilat nuk i ka reflektuar në buxhet. Përderisa këto projektet që i ka prezantuar atë ditë s’janë reflektuar në buxhet, shtrohet pyetja për çka po flasim. Për shembull një prej tyre flet për autostradën Gjilan-Banull-Duhël-Prizren. Për lidhjen e autostradës së Gjilanit me të Prizrenit, por kjo pjesa që e lidh me Prizren nuk figuron askund në buxhet. E të mos flasim për autostradën e Gjilanit që është inekzistente. Flet për projekt të hekurudhës që përfshin Ferizajn e Gjilanin që nuk shihet askund në buxhet. Banka zhvillimore e Kosovës që e kemi dëgjuar edhe para pesë vjetësh por që për pesë vjet s’u fol kurrë për të e tash në fillim thotë prapë do ta bëjmë”, ka deklaruar Mustafa në KTV.



