
OAK thotë se dokumentacioni i avokates ka qenë i kompletuar dhe se procedura e licencimit është zhvilluar në mënyrë të rregullt e transparente, pa asnjë trajtim të veçantë.
Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka konfirmuar se avokatja Blinera Osmani – Bislimi i ka plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe profesionale për licencim, në përputhje me kërkesat e institucionit.
Në një përgjigje për Klan Kosova, OAK ka bërë të ditur se dokumentacioni i paraqitur nga Osmani – Bislimi ka qenë i kompletuar dhe në përputhje të plotë me kërkesat ligjore në momentin e aplikimit.
“Avokatja Blinera Osmani-Bislimi i ka plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe profesionale për licencim. Dokumentacioni i paraqitur nga ajo ka qenë i kompletuar dhe në përputhje me kërkesat ligjore në momentin e aplikimit”, thuhet në përgjigjen e OAK-së.
Oda ka theksuar gjithashtu se procedura e ndjekur ka qenë plotësisht e rregullt dhe transparente, duke përmbushur standardet ligjore pa asnjë lloj privilegji apo trajtimi të veçantë për avokaten Osmani – Bislimi.
“Vendimi për licencim është marrë nga Këshilli Drejtues i OAK-së, në bazë të Ligjit për Avokatinë dhe akteve normative në fuqi. Procedura e ndjekur ka qenë e rregullt, transparente dhe në përputhje të plotë me standardet ligjore, pa asnjë lloj privilegji apo trajtimi të veçantë,” përfundon reagimi i OAK-së.



