Organizatorët e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999” kërkojnë falje publike: Qëllimi ishte të nderohen viktimat

Organizatorët e ekspozitës së shfaqur së fundmi në Prishtinë, “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, Integra dhe Admovere, i kanë kërkuar falje familjarëve të viktimave civile të luftës.

Përmes një postimi në Facebook, organizatorët theksuan se qëllimi i ekspozitës ishte nderimi i viktimave civile dhe ruajtja e kujtesës kolektive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, shkruan KlanKosova.tv.

banner

“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd,” thuhet në reagim.

Ekspozita, e cila mori kritika për pasaktësi në pasqyrimin e masakrave të Kosovës, nxiti reagime të shumta nga qytetarë dhe figura politike.

“Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme.”

Postimi i plotë i reagimit publik:

Përmes këtij reagimi, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me ndikimin dhe reagimet e shkaktuara nga ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”.

Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar.

Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd.

Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.