Osmani: Njohja nga Siria nuk erdhi brenda natës, do të ketë shumë lajme të mira në muajt në vijim

Presidentja falënderon ndërmjetësimin e Arabisë Saudite dhe thekson përkushtimin për forcimin e raporteve diplomatike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi nga Riadi se Siria ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, duke e cilësuar këtë një “lajm të jashtëzakonshëm” për vendin.

“Do të punojmë pa ndalë që Kosova të forcohet në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Osmani. Ajo shtoi se njohja nga Siria nuk ka ardhë brenda natës, duke kujtuar takimin e parë me presidentin e Sirisë në muajin prill dhe duke treguar se ekipet kosovare kanë qenë në kontakt që nga atëherë.

Presidentja vlerësoi ndërmjetësimin e Princit të Kurorës dhe kryeministrit të Arabisë Saudite, të cilët, sipas saj, janë “përkrahës të jashtëzakonshëm të Republikës sonë”.

Osmani theksoi rëndësinë e këtij akti si më shumë se një njohje e sovranitetit shtetëror: “Është njohje e sakrificës së gjatë për liri dhe njëkohësisht shprehje e përkushtimit të fortë që të punojmë bashkë me Sirinë dhe ta mbështesim atë në procesin e shtetndërtimit të tyre.”

Ky zhvillim diplomatik vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për të zgjeruar rrjetin e njohjeve ndërkombëtare dhe për të forcuar marrëdhëniet bilaterale në rajon dhe më gjerë.

Back to top button