Tahiri: BE-ja duhet të kërkojë falje, në Qeveri duhet të ketë dorëheqje

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pasi në një koncert të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel, si përfaqësuese e Kosovës, u interpretua melodia e këngës nacionaliste serbe “Sa Kosova zora sviće”.

Koncerti është mbajtur të dielën mbrëma, në prag të “Forumit të Zgjerimit”, ngjarjes kryesore vjetore të Komisionit Evropian kushtuar procesit të zgjerimit, e cila mbahet sot në Bruksel.

Në koncert janë interpretuar këngë nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit. Megjithatë, për Kosovën është zgjedhur instrumentali i një kënge serbe, teksti i së cilës përmban mesazhin se serbët nuk do ta japin Kosovën.

Kënga ishte shkruar në vitin 1989, në periudhën kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit kishte nisur shfuqizimin e autonomisë së Kosovës dhe zbatimin e politikave represive ndaj shqiptarëve.

Ende nuk është bërë e qartë nëse përzgjedhja e melodisë ishte provokim i qëllimshëm, gabim nga mosnjohja e përmbajtjes apo pakujdesi e organizatorëve. Komisioni Evropian, si organizator dhe financues i koncertit, pritet të japë sqarime.

Tahiri e ka cilësuar rastin si gabim të madh të BE-së, por përgjegjësi ka kërkuar edhe në Prishtinë.

“Kur e kuptojnë se ke ardhur në pushtet me premtime e mashtrime, se je fleksibil dhe lëshon pe ku mundesh e ku s’mundesh, s’ke pse të çuditesh që edhe këngët t’i zgjedhin e t’i lëshojnë në Bruksel, ashtu siç janë kompozu e dakordu në Beograd!”, ka shkruar Tahiri.

“Gabim i madh i BE-së, duhet kërkim falje e në Prishtinë dorëheqje”, ka shtuar deputeti i AAK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.