Palokaj: S’do jetë e lehtë të bindet BE-ja për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka vlerësuar se nuk do të jetë e lehtë për Kosovën ta bindë Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili u votua në Kuvendin e Kosovës më 6 tetor.  

Duke komentuar reagimin e BE-së pas votimit të ndryshimeve në këtë ligj, Palokaj ka thënë se shprehja e “shqetësimit të thellë” nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian duhet të merret seriozisht, pasi, sipas tij, deklaratat e zëdhënësve pasqyrojnë qëndrime të përpunuara brenda strukturave të institucionit. Ai ka thënë se në Kosovë ka pasur keqkuptime lidhur me mënyrën se si komunikon BE-ja.

“Shprehja e ‘shqetësimit të thellë’ nga BE-ja ishte pak a shumë e pritshme. Ajo që po shoh në Kosovë dhe që po më befason është niveli i lartë i moskuptimit të mënyrës se si komunikon BE-ja. Kam dëgjuar deputetë që thonë se nuk duhet të merremi me atë që një zëdhënës i thotë një gazetari. Unë jam këtu qe 28 vjet dhe duhet të them se BE-ja ka zëdhënës, të cilët nuk mund të thonë diçka thjesht sipas mendimit të tyre. Ajo që thotë zëdhënësi është e përpunuar mirë brenda strukturave të BE-së. Prandaj, shprehja e ‘shqetësimit të thellë’ nga zëdhënësi është qëndrim politik i BE-së dhe duhet të merret seriozisht. Ka pasur keqkuptime edhe nga krahasimi i deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian që ishte në Prishtinë me reagimin e zëdhënësit të BE-së. Ursula von der Leyen kishte dhënë një përgjigje parimore, duke thënë se i takon Kosovës të vendosë vetë. Edhe po të kishte dashur, ajo nuk do të mund të ndërhynte. Megjithatë, ajo theksoi se Kosova duhet ta ruajë pavarësinë e gjyqësorit. Von der Leyen foli para se të ndodhte votimi. BE-ja nuk mund të reagonte ndaj një akti që ende nuk kishte ndodhur. Pasi ndryshimet u votuan, BE-ja reagoi, duke rikujtuar atë që kishte thënë von der Leyen, se duhet të ruhet pavarësia e gjyqësorit dhe të respektohen obligimet ndërkombëtare”, ka thënë Palokaj në “Interaktiv” të KTV-së.

“BE-ja, përveçse është mbështetëse e Gjykatës Speciale, është edhe financuesja më e madhe e saj. Nuk do të jetë lehtë për Kosovën ta bindë BE-në për këto ndryshime”, ka thënë Palokaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.