
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron temperatura të ulëta dhe reshje të herëpashershme gjatë ditëve të fundjavës.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë fundjavës moti në vend do të jetë kryesisht i vranët, me reshje shiu dhe borë të dobët në zonat malore.

Sipas IHMK-së, të shtunën pritet mot i vranët, me riga shiu vende-vende. Në viset e larta malore, vranësirat mund të sjellin edhe fjolla të dobëta bore. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës nga 4 deri në 6 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi.
Ndërkaq, të dielën moti do të vazhdojë të jetë kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme shiu dhe borë të dobët në zonat malore. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -1 deri në 1 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës nga 4 deri në 7 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi, e lehtë deri mesatare.
Banorët këshillohen të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes në rrugët malore dhe të ndjekin njoftimet e IHMK-së për motin.



