
Kandidati i PDK-së për Mitrovicën, Arian Tahiri, forcon pozitat në prag të balotazhit – pas marrëveshjes me LDK-në, merr mbështetje edhe nga AAK-ja përballë kandidatit të LVV-së, Faton Peci.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka siguruar një tjetër aleat të rëndësishëm për balotazhin e 9 nëntorit. Pas mbështetjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Tahiri ka njoftuar se edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i është bashkuar zyrtarisht rrugëtimit të tij politik në garën kundër kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Faton Peci.
Në një deklaratë për media, Tahiri tha se ky bashkëpunim është dëshmi e unitetit politik në funksion të interesit qytetar dhe të ardhmes së Mitrovicës.
“Sot, zyrtarisht edhe AAK-ja i është bashkuar rrugëtimit dhe vizionit tonë për Mitrovicën. Faleminderit kryetarit z. Qazim Nimani dhe strukturave të AAK-së për besimin dhe mbështetjen! Mitrovicën e kemi shtëpi dhe së bashku do ta ndërtojmë kapitullin e ri të bashkëpunimit, punës dhe shpresës. 9 nëntori do të jetë dita e bashkimit të qytetarëve, sepse Mitrovica është mbi partitë politike,” deklaroi Tahiri.
Me këtë marrëveshje, kampi opozitar në Mitrovicë duket të jetë konsoliduar në mbështetje të kandidatit të PDK-së, ndërsa gara me kandidatin e LVV-së, Faton Peci, pritet të jetë ndër më të ngushtat në vend.



