
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka autorizuar Sekretariatin e Përgjithshëm të partisë që të nisë procedurat për mbajtjen e Kuvendit të LDK-së, pas dorëzimit të nënshkrimeve që kërkojnë mbajtjen e tij.
Ai tha se, pas verifikimit të nënshkrimeve, do të caktohen data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.

“Kam autorizuar Sekretariatin e Përgjithshëm që të nisë menjëherë procedurat për mbajtjen e këtij Kuvendi. Pas verifikimit të nënshkrimeve do të caktohet data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së njoftoi gjithashtu se, për shkak të kësaj nisme, do t’i ndërpresë të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
“Për shkak të kësaj nisme, më duhet t’ju njoftoj se detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës”, tha ai.
Sipas Abdixhikut, në rrethanat e krijuara nuk do të ishte serioze dhe as e përgjegjshme të vazhdonte negociatat në emër të LDK-së, përderisa mandati i tij si kryetar është vënë në diskutim brenda partisë.
“Në këto rrethana nuk do të ishte serioze e as e përgjegjshme të negocioja në emër të LDK-së, pasi mandati im për ta udhëhequr atë është vënë në diskutim brenda shtëpisë sime”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se nuk beson se bisedimet për formimin e institucioneve kanë qenë arsyeja e nisjes së kësaj nisme, por theksoi se tashmë Kuvendi i LDK-së ka përparësi ndaj çdo angazhimi tjetër politik.
Ai shtoi se qytetarët e Kosovës dhe vetë LDK-ja do të jenë ata që do ta ndiejnë më së shumti pasojat e kësaj situate.
Sipas Abdixhikut, nisma për shkarkimin e tij ka ardhur në një moment kritik, pikërisht kur po zhvilloheshin bisedimet për formimin e institucioneve të reja të vendit.



