
LDK vendos t’i japë mbështetje kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri, në balotazhin për kryetar të komunës.
Sot është nënshkruar marrëveshja e koalicionit mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë, përmes së cilës LDK ka vendosur të mbështesë kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri, në balotazhin për kryetar të komunës, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Marrëveshja është nënshkruar nga Arian Tahiri, kandidat i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, dhe Gëzim Plakolli, ish-kandidat i LDK-së për të njëjtin post.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Aleancës Kosova e Re (AKR), që ka qenë partnere e PDK-së që nga zgjedhjet e 12 tetorit, si dhe Safet Kamberi, ish-nënkryetar i komunës së Mitrovicës dhe ish-kandidat i LDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Ky koalicion shihet si një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit politik në Mitrovicë dhe pritet të ndikojë në balotazhin e ardhshëm për zgjedhjen e kryetarit të komunës.



