
Kandidati i PDK-së, Shaban Shabani, njofton për koalicionin me LVV, Koalicionin Vakat dhe kandidatin e pavarur Nedzmidin Sejdilar për të ndërtuar një qeverisje gjithëpërfshirëse në Dragash.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Dragashit.
Lajmin e ka bërë të ditur kandidati i PDK-së për kryetar të kësaj komune, Shaban Shabani, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Sipas një procesi të hapur konsultimesh dhe bashkëbisedimesh, është arritur marrëveshja e koalicionit për raundin e dytë të zgjedhjeve ndërmjet: Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lëvizjes Vetëvendosje! (LV), Koalicionit Vakat dhe kandidatit të pavarur Nedzmidin Sejdilar,” ka shkruar Shabani.
Ai ka bërë të ditur se para nënshkrimit të marrëveshjes është bërë harmonizimi i programeve dhe parimeve qeverisëse, të cilat do të shërbejnë si bazë për një qeverisje “të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të qytetarëve të komunës”.
“Kjo marrëveshje është dëshmi e bashkëpunimit për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe në interes të përbashkët të secilit qytetar, pa dallim,” ka theksuar ai.



