PDK: Nesër në orën 11:00 do të jemi në Kuvend, Dehari ta thërrasë vazhdimin e seancës

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i është drejtuar sot me kërkesë zyrtare Avni Deharit, në cilësinë e kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, që nesër, më 12 gusht, ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Sipas letrës së dërguar nga PDK-ja, ndonëse moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, tejkalimi i këtij afati nuk e shuan detyrimin për përfundimin e procesit të konstituimit.

banner

“Obligimi për përfundimin e procesit konstituiv mbetet dhe duhet të përmbushet pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

PDK-ja ka kërkuar që seanca të thirret pa vonesa dhe deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të tyre.

PDK-ja ka bërë të ditur se, pavarësisht nëse Dehari e përmbush apo jo këtë obligim, deputetët e saj do të jenë nesër, më 12 gusht, në orën 11:00, të pranishëm në sallën e Kuvendit.

Sipas PDK-së, në këtë kohë “përfundon edhe 48-orëshi i dytë për vazhdimin e seancës, siç përcaktohet me Rregulloren e Kuvendit”.

Po ashtu, PDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve të zgjedhur që të jenë nesër në sallën e Kuvendit, me qëllim që, siç thuhet, të dëshmojnë gatishmërinë politike dhe vullnetin për ta përmbushur besimin e marrë nga qytetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.