
Armend Zemaj, deputet i LDK, ka kritikuar VV për keqpërdorimin e moshës së Avni Deharit, deputet dhe kryesues i seancës së Kuvendit.
Zemaj ka theksuar se seanca duhet të thirret.

Postimi i plotë:
Keqpërdorimi i statusit të moshës nga VV.
Deputeti Dehari është kryesues i seancës së parë konstituive vetëm për shkak të moshës, si deputeti më i vjetër. Por kjo nuk do të thotë se ai ka një autorizim të pafund ligjor e kushtetues për të pamundësuar konstituimin e Kuvendit.
Kjo logjikë, në emër të moszbatimit të rregullave demokratike që nuk përmbajnë sanksion, është e rrezikshme dhe nuk duhet të shndërrohet në normë e as veprim.
Thirrja dhe zhvillimi i seancës është obligim kushtëtues për përmbushjen e vullnetit të dalë nga zgjedhjet e lira, e jo çështje e dëshirës apo e “vullnetit” politik të një deputeti që keqpërdor një normë të Rregullores së Kuvendit.
Seanca duhet të thirret, Kuvendi duhet të konstituohet dhe duhet t’i jepet mundësia formimit të institucioneve të reja.
Përndryshe, kjo nuk është më demokraci, por rrëshqitje në anarki dhe kapje e shtetit.
Çdo njeri nga ne që e lejon një veprim të tillë dhe e normalizon atë, në fakt po e normalizon edhe mosrespektimin e ligjit dhe të Kushtetutës.



