Përparim Rama i reagon sërish Kurtit: Cilin buxhet nuk e jep – të shtetit që mbahet me tatime, apo të partisë që e ke kthyer në pronë?

Kryetari i Prishtinës akuzon Kurtin për arrogancë dhe përpjekje për të ndëshkuar komunat e udhëhequra nga parti të tjera, duke e quajtur deklaratën e tij “rrezik institucional”.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili kishte thënë se “nuk do të japë buxhet për ata që nuk dinë të punojnë”, duke iu referuar kryetarëve të komunave që nuk i përkasin partisë së tij.

Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Rama e ka quajtur këtë deklaratë “skandaloze”, duke e akuzuar Kurtin se po e trajton buxhetin e shtetit si pronë partiake.

“Deklarata ‘nuk e jap buxhetin për…’ është skandaloze. Cilin buxhet, Albin? Buxhetin e kujt ‘s’e jep’? Të popullit që e mban këtë shtet me tatime, punë dhe durim, apo të partisë që e ke shndërru në pronë private?”, ka shkruar Rama.

Ai shtoi se Kurti tashmë ka pranuar publikisht atë që, sipas tij, po ndodh prej dy vitesh:

“Albin Kurti e tha më në fund me zë të lartë atë që unë kam alarmuar prej dy vitesh: ‘S’ka para, s’ka përkrahje, s’ka zhvillim për komunat që s’janë me ne.’”

Rama theksoi se buxheti i shtetit nuk është shpërblim apo ndëshkim, por një detyrim kushtetues.

“Në demokraci, kush e përdor paranë publike për të ndëshkuar kundërshtarët, është autokrat që fshihet pas fjalëve populliste. Kjo nuk është më politikë, është rrezik institucional!”

Duke iu drejtuar Kurtit drejtpërdrejt, kryetari i Prishtinës tha se “ish-kryeministri po flet si pronar” dhe se një qasje e tillë rrezikon demokracinë.

“Kur ish-kryeministri flet si pronar, qytetari humb statusin e sovranit. Aty ku qytetari humb, fillon kultivimi i një autokracie të rrezikshme që ushqehet nga servilizmi, frika dhe përfitimi,” tha ai.

Në përfundim, Rama e akuzoi Kurtin për arrogancë politike dhe për krijimin e një rrethi të mbyllur me njerëz që i ushqejnë egon.

“Albin Kurti, pushteti nuk është pasqyrë për t’u admiruar. Është provim që e ke dështuar me arrogancë. Ata që i ke pranë, servilët dhe të padijshmit, ndoshta ta kanë krijuar përshtypjen se je figurë superiore, i pazëvendësueshëm, mbi ligjin dhe mbi kushtetutën. Por nuk je,” shkroi Rama, duke theksuar se Kosova është shtet demokratik dhe duhet të trajtojë të gjitha komunat në mënyrë të barabartë.

Back to top button