Përplasje e ashpër mes Sveçlës dhe Daçiqit në takimin e BE-së në Sarajevë

Ministri Sveçla i tërhoqi vërejtjen Daçiqit për referimin e Kosovës si “Prishtinë” dhe kritikoi drejtuesit aktualë të Serbisë për lidhjet me regjimin e Millosheviqit.

Në kuadër të takimit të Bashkimit Evropian me Ministrat e Brendshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt në Sarajevë me temën “Dimensioni online i sigurisë, migrimi, azili dhe politikat e vizave”, janë zhvilluar diskutime të shumta mes përfaqësuesve të rajonit.

Burime të RTV Dukagjinit nga ky forum bëjnë të ditur se gjatë takimit ka pasur një përplasje të ashpër mes ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Sipas këtyre burimeve, tensionet nisën kur ministri Sveçla reagoi ndaj mënyrës se si Daçiq i referohej Republikës së Kosovës si “Prishtinë”. Sveçla i tërhoqi vërejtjen se takimi ishte ndërmjet shteteve sovrane dhe jo mes kryeqytetesh.

Debati u përshkallëzua më tej kur ministri Sveçla përmendi përbërjen aktuale të udhëheqjes së Serbisë, duke theksuar se shumë figura të saj kishin qenë pjesë e strukturave të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Presidenti Aleksandar Vuçiq ishte atëherë ministër i Propagandës, vetë Daçiq ishte zëdhënës i partisë së Millosheviqit, ndërsa Aleksandar Vulin ishte pjesë e partisë së Mira Markoviqit,” citohet të ketë thënë Sveçla, duke nënvizuar vazhdimësinë politike mes regjimit të atëhershëm dhe udhëheqjes aktuale të Serbisë.

Takimi u zhvillua pa praninë e mediave, por burime diplomatike konfirmojnë se debati mes dy ministrave ka qenë ndër më të tensionuarit në këtë forum.

Back to top button