“Po luhet me shpresën e prindërve” – Nushi-Muhaxhiri kundër pretendimeve të Sllamnikut për shërim të autizmit

Analistja e “Zanat” reagon ashpër ndaj rastit të Sllamnikut, duke e quajtur shfrytëzim të dhimbshëm të shpresës së prindërve.

Gazetarja dhe analistja e emisionit “Zanat”, Paulina Nushi-Muhaxhiri, ka reaguar ashpër lidhur me rastin e një personi të quajtur Sllamnik, i cili sipas raportimeve të Klan Kosovës ka hapur një zyrë konsulence në Gjilan, duke pretenduar se “shëron” autizmin.

banner

Nushi-Muhaxhiri thotë se ka takuar shumë prindër të fëmijëve me autizëm dhe se shpresa në sytë e tyre është e pafundme sa herë që përmendet ndonjë mundësi trajtimi efektiv për fëmijët e tyre. Megjithatë, ajo e cilëson rastin në Gjilan si diçka që shkon “përtej çdo logjike”.

“Sipas Klanit, Sllamniku duke u zotuar se ‘shëron’ autizmin, ka hapur një zyrë konsulence në Gjilan, ku po takohet me prindër dhe po iu premton rezultate që nuk i ka zbuluar as mjekësia botërore,” shkruan ajo.

Sipas saj, trajtimi te ky person po kushton mijëra euro, gjë që e konsideron të dhimbshme dhe të padrejtë. “Mijëra euro po kushton trajtimi, a nuk është gjynah?”, shtron ajo pyetjen.

Nushi-Muhaxhiri rikujton se autizmi nuk konsiderohet sëmundje që ka ilaç, por është çrregullim i spektrit që karakterizohet me vështirësi në ndërveprim social, komunikim dhe sjellje të përsëritura. Ajo thekson se, siç ka thënë më herët në një intervistë për të, dr. Naim Zeka, “secili fëmijë e ka autizmin e vet”.

“Prandaj, Sllamniku nuk mund t’i bie në fije krejt llojeve të autizmit që kanë fëmijët, sepse s’ka lidhje me atë muhabet,” shkruan analistja, duke hedhur poshtë pretendimet për shërim universal.

Në fund, ajo shpreh shqetësimin e saj të thellë për prindërit që po bien pre e këtyre premtimeve. “Më dhimbset shpirti juaj së pari e pastaj xhepi,” përfundon Nushi-Muhaxhiri.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.