
Radev kërkon që institucionet evropiane ta marrin seriozisht këtë iniciativë, e cila mund të rrezikojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka theksuar se projektin e quajtur “Bota serbe” institucionet evropiane duhet ta trajtojnë me seriozitet, duke vënë në dukje ndikimin e tij potencial në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
Në një prononcim për agjencinë bullgare të lajmeve BGNES, Radev tha se Ballkani Perëndimor është një pikë kritike për sigurinë, dhe se e gjithë vëmendja e Bashkimit Evropian duhet të jetë e përqendruar aty.
“Unë besoj se është koha e duhur që të gjitha institucionet evropiane ta marrin këtë çështje shumë më seriozisht. Është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme edhe për ne,” tha Radev.
Sipas raportimeve të BGNES, “Bota serbe” është një variant i ri i projektit historik “Serbia e madhe”, i cili ka për qëllim të vendosë kontroll mbi vendet fqinje, duke përfshirë Bosnjën, Kroacinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Kisha Ortodokse Serbe përmendet si instrument kryesor për realizimin e këtij projekti.
Presidenti bullgar paralajmëron se ndikimi i kësaj iniciative nga Beogradi mund të rrezikojë stabilitetin rajonal dhe kërkon që institucionet evropiane të marrin masa për të adresuar këto rreziqe.



