Pronari i kompanisë që po ndërton urën e Ibrit: Dëmi nga përmbytja mund të arrijë deri në 150 mijë euro

Jahir Nimani akuzon “dorën e njeriut” për përmbytjen që dëmtoi vendpunishten e urës së re dhe thotë se shteti ka dështuar të sigurojë mbrojtjen e nevojshme.

Mbrëmë pas mesnate, vendpunishtja e urës së re mbi lumin Ibër në Mitrovicë u përfshi nga uji, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Në një prononcim për Mitrovica SOT, pronari i kompanisë ndërtuese “Edi Company”, Jahir Nimani, deklaroi se përmbytja nuk ishte rastësi, por sipas tij, “është shkaktuar nga dora e njeriut me qëllime të caktuara”.

Sipas Nimanit, dëmet janë të mëdha dhe përfshijnë të gjithë materialin ndërtimor të vendosur brenda kantierit, ndërsa vetëm dy eskavatorët kanë shpëtuar pa dëmtime.

“I gjithë materiali është shkatërruar. Vetëm dy eskavatorët kanë mbetur të paprekur. Ende nuk mund ta dimë shumën e saktë të dëmit, por mendojmë se shkon nga 100 mijë deri në 150 mijë euro,” tha ai.

Nimani shtoi se kompania e tij ka punuar për interesin publik dhe se është thellësisht i zhgënjyer me institucionet, të cilat, sipas tij, nuk kanë ofruar sigurinë e nevojshme për mbarëvajtjen e punimeve.

“Ne kemi punuar për shtetin, por shteti ka dështuar të na mbrojë,” theksoi ai.

Autoritetet përkatëse ende nuk kanë dalë me ndonjë reagim zyrtar lidhur me rastin.

Back to top button