
Buxheti prej gati 4 miliardë eurosh përfshin 1 miliard euro investime kapitale, pagën e 13-të për sektorin publik, rritje të pensioneve dhe pagës minimale, si dhe shtesa më të larta për fëmijët.
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot projektbuxhetin për vitin 2026, i cili arrin vlerën afër 4 miliardë euro, prej të cilave rreth 1 miliard euro do të investohen në projekte kapitale për rrugë, shkolla, spitale dhe infrastrukturë të tjera.
Ky buxhet sjell masa të rëndësishme për përmirësimin e mirëqenies sociale dhe ekonomike, duke përfshirë:
• Paga e 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik;
• Rritjen e pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, për dallim nga skema e mëparshme që ishte 0.25%;
• Rritje të pensioneve: pensioni minimal nga 120 në 150 euro, pensioni bazik i moshës nga 90 në 150 euro dhe pensioni bazik për personat me aftësi të kufizuara nga 75 në 150 euro;
• Rritje të pagës minimale nga 350 euro në 500 euro, në dy faza (425 euro nga 1 janari dhe 500 euro nga 1 korriku 2026);
• Shtesa për fëmijë 0-16 vjeç, që rriten me 50%, duke përfshirë 400 mijë fëmijë.
Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, tha se:
“Ky është buxheti i mirëqenies, i drejtësisë dhe i zhvillimit. Ai reflekton rritjen ekonomike të vendit dhe kujdesin për secilin qytetar.”
Gjithashtu, Qeveria ka miratuar buxhetet komunale për vitin 2025 për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun, si dhe Rregulloren për Mbështetjen Financiare të Skenës së Pavarur Kulturore, për të zhvilluar artin dhe kulturën në vend.



