
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, ka thënë se brenda LDK-së ekzistojnë katër grupacione që po kërkojnë ndryshime në udhëheqjen e partisë, ndonëse, sipas tij, ato kanë motive dhe objektiva të ndryshme.
Ai ka deklaruar se këto grupacione – që përfshijnë grupin i cili po kërkon largimin e kryetarit Lumir Abdixhiku – janë bashkuar rreth synimit për ndryshimin e udhëheqjes aktuale, duke e parë atë si mënyrë për realizimin e interesave të tyre politike.

“Grupi që kërkojnë me çdo kusht ndryshimet, përbëhet prej katër grupacioneve politike aty, individëve që kanë objektiva të ndryshme por në instancën e fundit e kanë atë ndryshimin. Këto katër grupe edhe pse kanë qëllime të ndryshme, në fakt ato qëllime mund t’i realizojnë me ndryshimet në udhëheqjen e tanishme”, ka thënë ai në “Konfront”.
Sipas Ramosajt, grupi i parë përbëhet nga delegatë të cilët e konsiderojnë momentin aktual si mundësi për ta marrë drejtimin e partisë.
“Grupi i parë i këtyre janë pjesa e delegatëve, një pjesë e udhëheqjes së LDK-së që po e konsiderojnë momentum të mirë për ndryshime në udhëheqje që veten e shohin në një mundësi për ta marrë udhëheqjen”.
Ai ka theksuar se grupi i dytë synon ta pengojë një marrëveshje të mundshme politike mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Në grupin e dytë e përbëjnë një pjesë e delegatëve që duan ta pengojnë marrëveshjen politike me VV-në dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë, ndoshta të shkojnë në shkatërrime më të mëdha brenda partisë vetëm të mos ndodhë koalicioni. Ky grup është i ndikuar nga partitë e deridjeshme opozitare, si PDK-ja ose AAK-ja”, u shpreh ai.
Ramosaj ka shtuar se grupi i tretë përbëhet nga ata delegatë që besojnë se udhëheqja aktuale e LDK-së nuk po arrin të prodhojë rezultate më të mira dhe se ndryshimi, sipas tyre, do t’i shërbente forcimit të partisë.
“Grupi tjetër mendojnë se kjo udhëheqja aktuale nuk prodhon rezultate më të mira dhe duan ta ndryshojnë udhëheqjen me qëllimin më të mirë”.
Ndërkaq, sipas Ramosajt, grupi i katërt udhëhiqet nga interesa personale.
“Grupi i katërt paraqet atë pjesë të LDK-së që dëshirojnë ndryshimet dhe ato ndryshime dëshirojnë t’i bëjnë vetëm për interesa personale për të rritur pazaret, për të qenë pjesë e lojës së nesërme për koalicionet potenciale”, ka deklaruar ai.
Ramosaj ka vlerësuar se pavarësisht dallimeve, këto grupe janë bashkuar për të krijuar një front të përbashkët kundër udhëheqjes aktuale të partisë.
“Këto grupacione janë bashkuar për një interes të përbashkët me qëllim që eventualisht nëse nuk zgjedhet ose nëse nuk e merr besimin udhëheqja aktuale, në një mënyrë të jenë bllok që mund ta zgjedhin një organ udhëheqës të përkohshëm deri në zgjedhjet tjera. Kjo lë mundësinë që ai organ t’i inkorporojë këto grupe të pakënaqurve dhe t’i bëjë pjesë e ndonjë marrëveshje eventuale politike”.
Ramosaj ka thënë se mbështetja që do t’i jepet ose jo Abdixhikut në mbledhjen e së enjtes do të jetë përcaktuese për rolin e partisë në zhvillimet politike të vendit. Ai nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë e një kompromisi brendapartiak.
“Nëse LDK-ja nesër nuk i jep mbështetje Abdixhikut, nuk besoj që LDK do të jetë pjesë e negociatave ose institucioneve. Mundet nesër të luhet ndonjë lojë e kompromiseve politike brenda kuvendit. Ka mundësi që nesër të thonë Abdixhikut që do të udhëheqësh dialogun, por në periudhën 3-6 muaj do t’i organizosh zgjedhjet partiake”.
Të enjten, Kuvendi i LDK-së do të mblidhet me kërkesën e një pjese të delegatëve për shkarkimin e Abdixhikut. 355 delegatët e LDK-së do të votojnë nëse Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë apo do të shkarkohet.
Përplasjet brenda LDK-së nisën pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, në të cilat partia mori 16.7 për qind të votave.
Degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e dytë në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e Lumir Abdixhikut. Pas refuzimit të kësaj kërkese, në fillim të korrikut nisi mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi mund të thirret nëse kërkesa mbështetet nga të paktën një e treta e delegatëve.



