Zelensky dhe Al Sharaa takohen: Rikthehen marrëdhëniet diplomatike mes Ukrainës e Sirisë

Ukraina dhe Siria formalisht i rivendosën marrëdhëniet diplomatike të mërkurën, kur presidentët e dy vendeve u takuan në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ukraina i kishte shkëputur marrëdhëniet me Sirinë në qershorin e vitit 2022, pasi qeveria e presidentit të atëhershëm sirian, Bashar al-Assad, e kishte njohur pavarësinë e disa rajoneve të pushtuara të Ukrainës pas fillimit të pushtimit të plotë rus, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, përcjell Nacionale.

banner

Ukraina ka punuar për t’u angazhuar me autoritetet e reja siriane që nga rrëzimi i Assadit nga pushteti në dhjetorin e vitit të kaluar. Ish-presidenti sirian ishte aleat i palëkundur i Rusisë dhe e kishte lejuar Moskën që të ndërtonte prani ushtarake në territorin e vendit të tij.

Jemi të kënaqur me këtë hap të rëndësishëm dhe jemi të gatshëm që ta mbështesim popullin sirian në rrugën e tij drejt stabilitetit” – shkroi Zelensky në rrjetin “Telegram”, pasi e dha njoftimin për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e rrënuar nga lufta e gjatë civile.

Zelensky e dërgoi në dhjetor ministrin e Jashtëm të Ukrainës në Damask për të zhvilluar bisedime me udhëheqjen e re siriane, duke i bërë thirrje asaj që t’ia hiqte Rusisë praninë në territorin sirian e duke i premtuar dërgesa me ndihma ushqimore.

Udhëheqësit e Sirisë thanë se po shpresonin për marrëdhënie të ngushta me Kievin.

Rusia, e cila i ka dhënë azil Assadit, edhe vetë ka bërë përpjekje që të ndërtojë marrëdhënie me udhëheqjen e re siriane dhe më herët këtë muaj dërgoi atje një delegacion të madh, të drejtuar nga zyrtari më i lartë për energjinë.

Të mërkurën, Zelensky tha në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së se Siria meriton mbështetje më të fortë ndërkombëtare dhe se Damasku ende po detyrohet që të apelojë për lehtësim të sanksioneve të ashpra ekonomike.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.