Limaj: Dalja publike e Trendafilovës është efekti i parë i Ligjit për Specialen

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka cilësuar si hap pozitiv adresimin e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Specialen nga Kuvendi i Kosovës.

I ftuar në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, Limaj ka pretenduar se adresimi publik i Trendafilovës është pasojë e veprimeve konkrete të ndërmarra nga Kosova dhe shenja e parë e efektit të ligjit të ri.

Sipas tij, Trendafilova nuk e komentoi drejtpërdrejt ligjin e miratuar nga Kuvendi, por u përqendrua në interpretimin e bazës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara.

“Së pari, besoj që ky reagim vjen si pasojë e veprimeve konkrete të Kosovës, ligjit. Nuk do të kishin një reagim të tillë, siç s’kanë pasur tash e gjashtë vite. Efektet e para dhe shenjat e para të efektit të ligjit janë detyrimi i zonjës Trendafilova për të dalë me dhënë këtë sqarim e prononcim dhe kjo është shenja e parë e efektit të ligjit”, ka deklaruar Limaj.

Ai ka thënë se kryetarja e Dhomave të Specializuara nuk ka të drejtë t’i komentojë apo interpretojë ligjet që miratohen nga Kuvendi i Kosovës.

“Unë i pashë edhe prononcimet e njerëzve rreth deklaratës së saj. Së pari, dua të them që kryetarja e Dhomave të Specializuara nuk e ka komentuar ligjin dhe s’ka të drejtë ta komentojë ligjin, siç e patë edhe ju. Nuk e komentoi ligjin që është nxjerrë, por interpretoi mbi bazën e ligjit me të cilin punojnë dhe ishte shumë e kujdesshme në këtë drejtim, sepse e di që nuk ka të drejtë t’i interpretojë ligjet e Kosovës dhe ato që i nxjerr Kuvendi i Kosovës”, është shprehur ai.

Limaj ka vlerësuar se vetë nevoja që Trendafilova t’u drejtohej publikisht qytetarëve paraqet zhvillim pozitiv, pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së saj.

“Për mua është një hap pozitiv vetë detyrimi i saj për të dalë dhe për të dhënë disa sqarime. Pavarësisht se çfarë tha, kjo tregon efektet e para të ligjit, sepse këta tash e sa vite i ka shoqëruar arroganca, moskomunikimi dhe mostransparenca, siç e dini edhe ju. Këta e kanë parë të nevojshme të flasin nëpër zyra dhe jo t’u drejtohen qytetarëve të Kosovës, në emër të të cilëve gjykojnë dhe punojnë”, ka përfunduar Limaj.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.