
Imeri tha se rikthimi i zonjës Mehmeti në politikë varet nga vullneti i saj, por në VLEN do të kishte hapësirë për t’u angazhuar.
Saranda Imeri ka vlerësuar se largimi i ish-deputetes Ermira Mehmeti nga politika ka qenë një humbje e madhe për skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ajo theksoi se Mehmeti mbetet një profesioniste me përvojë dhe njohuri që mund të kontribuojë ende në politikë, por rikthimi i saj mbetet çështje personale.
“Nuk e di sa ka vullnet zonja Mehmeti që t’i rikthehet politikës. Largimi i saj nga skena politike ka qenë një humbje e madhe, si kuadër dhe si profesioniste. Është person që mund të kontribuojë ende në skenën politike, ka njohuri, ka atë që i duhet, mirëpo është çështje e saj private, aty nuk mund të flas,” tha Imeri.
E pyetur nëse brenda VLEN-it ka hapësirë për zonjën Mehmeti, ajo u shpreh se pozitivisht.
“Nëse më pyet mua personalisht, mund të them se po.”
Kohët e fundit janë ngjallur diskutime për një rikthim të mundshëm të Ermira Mehmetit, e cila prej disa vitesh qëndron larg politikës, por vazhdon të vlerësohet për profesionalizmin dhe kontributin e saj në jetën publike.



