
Dy kryeministrat, të Shqipërisë dhe Kosovës, u panë duke shtrënguar duart në Pallatin e Kongreseve gjatë homazheve për ish-kryeministrin Fatos Nano, në një moment simbolik të respektit për figurën e tij.
Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë po mbahen homazhe në nder të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 73-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.
Në ceremoninë përkujtimore, përveç familjarëve dhe figurave të shumta të jetës publike e politike shqiptare, morën pjesë edhe dy kryeministrat – Edi Rama dhe Albin Kurti.
Të dy u panë duke shtrënguar duart, një gjest i rrallë mes tyre, që tërhoqi vëmendjen e mediave për simbolikën e tij në një ditë zie kombëtare.
Homazhet për Fatos Nanon, një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar, po zhvillohen në një atmosferë solemniteti dhe respekti të lartë.
Qeveria shqiptare ka shpallur të dielën, më 2 nëntor, ditë zie kombëtare, në nder të jetës dhe kontributit të Nanos si ish-kryeministër, themelues i Partisë Socialiste dhe një prej politikanëve që ndikuan në transformimin demokratik të Shqipërisë pas viteve ’90.



