
Rreth 57 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës do të votojnë me postë për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të nisë sot dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, të cilët do të kenë mundësi të votojnë përmes postës në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Lajmi është konfirmuar për Gazetën Express nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Sipas tij, procesi i dërgimit të pakove do të realizohet përmes operatorit ekonomik të kontraktuar.
“Gjatë ditës së nesërme (e diel, 14 dhjetor 2025, ora 10:45), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes operatorit ekonomik, do të nisë dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Elezi.
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit do të jenë të dytat që mbahen brenda këtij viti. Ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, këto zgjedhje po organizohen për shkak të dështimit në formimin e qeverisë, proces që Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti ta përmbyllë, pavarësisht dy përpjekjeve përmes mandatarëve Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Ndërkohë, partitë politike kanë nominuar kandidatët e tyre për kryeministër dhe kanë publikuar listat e kandidatëve për deputetë. Sa i përket votimit nga diaspora, KQZ ka bërë të ditur se rreth 57 mijë persona janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës.



